Shoku më besnik i njeriut është i stresuar!

Thuhet se qenit u ngjajnë pronarët – dhe një studim i ri tregon se kjo është më e vërtetë se kurrë.
Ekspertët zbuluan se golden retrieverët dhe njerëzit ndajnë gjene që i bëjnë të predispozuar për ankth. Ky është studimi i parë që tregon se disa gjene të lidhura me sjelljen e qenve janë gjithashtu të lidhura me tipare si depresioni dhe inteligjenca tek njerëzit.
Kjo mund të ndihmojë pronarët të kuptojnë më mirë kafshët e tyre, sidomos kur ato shfaqin sjellje “të këqija”.
“Rezultatet janë vërtet mbresëlënëse – ato japin dëshmi të forta se njerëzit dhe golden retrieverët kanë rrënjë gjenetike të përbashkëta për sjelljen,” tha Dr. Eleanor Raffan nga Universiteti i Cambridge.
“Gjenet që identifikuam ndikojnë shpesh tek gjendjet emocionale dhe sjellja tek të dyja speciet.”
Sjelljet dhe gjenet e përbashkëta
Qentë që shfaqin frikë jo-sociale, si të kenë frikë nga autobusët ose fshesat, kanë një gjen që tek njerëzit lidhet me ndjeshmërinë dhe ankthin për të shkuar te mjeku.
Një gjen tjetër, i lidhur me trajnueshmërinë te golden retrieverët, lidhet me inteligjencën dhe ndjeshmërinë emocionale tek njerëzit.



Ekipi analizoi kodin gjenetik të 1,300 golden retrieverëve dhe krahasoi me tiparet e sjelljes së secilit qen, të vlerësuara përmes një pyetësori të detajuar nga pronarët.
U identifikuan gjene që lidhen me trajnueshmërinë, nivelin e energjisë, frikën ndaj të huajve dhe agresionin ndaj qenve të tjerë.
Duke i krahasuar këto me të dhëna njerëzore, u zbulua se 12 gjene të golden retrieverëve ndikojnë gjithashtu në tiparet dhe emocionet njerëzore.
Për shembull, gjen PTPN1 lidhet me agresionin ndaj qenve të tjerë dhe është gjithashtu i lidhur me inteligjencën dhe depresionin tek njerëzit. Një gjen tjetër, i identifikuar tek qentë frikacakë, ndikon nëse njerëzit mendojnë vazhdimisht pas një turpi ose arrijnë rezultate të larta akademike.
Çfarë kuptimi kanë këto zbulime
“Këto rezultate tregojnë se gjenet ndikojnë në sjellje, duke bërë që disa qen të gjejnë botën stresuese,” tha autori kryesor, Enoch Alex.
“Nëse përvojat e tyre përforcojnë këtë, ata mund të sillen në mënyra që ne i interpretojmë si sjellje të keqe, kur në fakt janë të shqetësuar.”
Studimi, botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, ka gjithashtu implikime për kujdesin veterinar. Kuptimi se frikësia tek një golden retriever mund të lidhet me gjenin e ankthit tek njerëzit mund të ndihmojë në përcaktimin e trajtimeve për reduktimin e stresit.

“Nëse golden retriever-i juaj fshihet pas divanit sa herë që bie zile telefoni, mund të tregoni më shumë empati duke ditur se janë gjenetikisht të prirur të ndihen të ndjeshëm dhe të shqetësuar,” tha Dr. Anna Morros-Nuevo, pjesë e ekipit.
Profesor Daniel Mills nga Universiteti i Lincoln shtoi:
“Kafshët tona mund të jenë modele të shkëlqyera për disa gjendje psikike njerëzore të lidhura me shqetësime emocionale.”
10 mite të zakonshme mbi qentë
Ekspertët e sjelljes së kafshëve Dr. Melissa Starling dhe Dr. Paul McGreevy nga Universiteti i Sydney rekomandojnë të mbahen parasysh:
Qentë nuk e pëlqejnë gjithmonë të ndajnë gjërat.
Jo të gjithë qentë e pëlqejnë përqafimin ose ledhatimin.
Një qen që leh nuk është gjithmonë agresiv.
Qentë nuk e pëlqejnë kur të tjerët hyjnë në territorin e tyre.
Qentë duan aktivitet dhe nuk kanë nevojë për aq shumë kohë pushimi sa njerëzit.
Jo të gjithë qentë janë shumë miqësorë; disa janë më të turpshëm.
Një qen miqësor mund të bëhet agresiv papritmas
Qentë kanë nevojë për hapësira të hapura dhe zona të reja për të eksploruar.
Ndonjëherë një qen nuk po sillet keq, thjesht nuk e kupton se çfarë dëshiron pronari.
Sinjalet e fytyrës shpesh paralajmërojnë lehjen ose kafshimin kur qeni është i pakënaqur. /GazetaExpress/
