“Çfarë hamë sot në Shqipëri, apo kur nuk prodhojmë dot as hudhra”

Shkruan Auron Tare
Ky është një dyqan normal në një nga lagjet historike të Gjirokastrës.
E pyeta të zotin çfarë prodhimesh ka nga fshati?
Po ja, më tregoi me gisht, shikoi vetë – përveç spinaqit, asgjë nuk është e jona. Janë bërë perimet si turistë.
Hudhrat nga Kina.
Patëllxhanët nga Bullgaria.
Portokalle greke.
Gështenjat greke.
Arrat greke.
Kumbullat e mëdha italiane, të voglat maqedonase.
Pjeshkët italiane.
Shegët turke.
Aaa prit – i thashë kur mbaroi së numëruari, patatet dhe qepët janë tonat.
Jo – më tha vijnë nga Gjermania.
Nuk ka mundësi i thashë – Kolonja është mbushur me patate dhe qepë.
Jo, jo gjermane i ke më tha. Vijnë më lirë se tonat. Zotëria që shiste në dyqan, dukshëm një person i lexuar, me një pshehrëtimë të gjatë vazhdoi më tej.
E di kur ka marrë ferra uratën në këtë vendin tonë? Kur fshatarët vijnë këtu dhe blejnë një thes me patate gjermane apo një varg qepësh. E kupton ku jemi katandisur? Të vijë fshatari tek unë, të blejë patate nga Gjermania.
Jemi më keq se në kohën e dikurshme kur vinin fshatarët dhe blinin bukë gruri në qytet.
Në fakt, përtej dëshpërimit të një qytetari normal në një qytet si Gjirokastra, një situatë e tillë në bujqësi është tejet alarmante.
Ne sot jemi një shoqëri që jo vetëm nuk prodhojmë më asgjë në fushën e bujqësisë, por konsumojmë në përgjithësi produkte të ardhura nga jashtë.
Tregu ynë i mbushur me prodhime që shkëlqejnë nga dylli dhe kimikatet që kanë për t’i rezistuar kohës, tregojnë degradimin e bujqësisë, e cila përtej rrezikut të madh shëndetësor, ka një kosto shumë të lartë ekonomike. Valuta e futur tek ne nga turizmi në fakt del jashtë për të blerë prodhimet ushqimore, të cilat futen në treg për të ushqyer numrin e turistëve që vijnë në vend.
Ndërkohë një bujqësi e fortë jo vetëm do të siguronte një kualitet në prodhimet tona, të cilat do të mbështesnin të gjithë sektorin e turizmit duke mbajtur valutën në vend.
Sigurisht, një koncept shumë i thjeshtë për t’u kuptuar, por i paadministruar deri më sot.
Përtej mburrjes me numrin e lartë të turistëve që vizitojnë vendin, askush nuk flet dhe nuk mban përgjegjësi se përse sot bujqësia jonë nuk prodhon dot as hudhra. Të cilat vinë nga Kina natyrisht.
